Rreth nesh

Filigranistët apo argjendarët e lashtë (kujungjintë) janë ndër mjeshtrit më të njohur të qytetit të Prizrenit. Këta zanatçinjë, duke punuar me vegla dore dhe duke dredhur apo trajtësuar me teknikën e filigranit objekte arti prej ari, argjendi, bakri, qelibari e gurësh të çmuar, e bënë të njohur qytetin e lashtë në gjithë botën.

Veprat e njohura me derdhje apo filigran janë të shumta. Me derdhje janë punuar kuti të duhanit, çibuke, taketuke, pjesë të qystekut, unaza, byzylykë, vathë, mbërthecka për mëngët e këmishave, pjesë të gjerdanëve, pjesë të stolive për kollanë, tabakë, gota uji apo vere, filxhanë, pjesë të stolive për flokë të vajzave dhe grave etj.

Çarshia e kujungjillëkut ku vepronin argjendarët e Prizrenit, dhe që konsiderohet edhe vatra e Filigranit, ka qenë e njohur që nga kohët e lashta edhe jashtë Gadishullit Ballkanik. Ndër mjeshtrit më të vjetër në Prizren konsiderohet të kenë qenë: Pjetër Kolveshi, Anton Kolveshi, Matej Vuçaj, Lorenc Vuçaj, Andreja Vuçaj, Fran Vuçaj, Matej Gashi, Mark Gashi, Simon Pali, Palush Pali, Lora Pali, Sebë Augustin Delhysa, Gjon Delhysa, Kolë Delhysa, Pjetër Shahta, Kristë Shahta, Shani Shahta, Tush Shahta, Luz Kolveshi, Lon Kolveshi, Bal Jak Gjoni etj.

Filigrani u trashëgua nga gjenerata e mesme e zejtarëve, përfshirë këtu: Kolë dhe Ndua të Tom Prenit, Dedë Gjeçi, Gjon Vuçaj, Pal Delhysa, Dedë Vuçaj, Ndrekë Cuki, Zef Kolveshi, Luz dhe Lorenc Kajrazi, Luz Mita, Hysin Alo, Faruk Shala, Riza Karaselo, Fatime Baruti, Davut Babauna, Salajdin Igxhi, Luigj Toqi, Lon Bytyqi, Shadi Kryeziu, Ismet Nasufi, Eqrem Pupus, Arif Kuksi, Nexhmedin Pasuli, Izet Dervenica, Abdullah Zogaj, Gjemal Zogaj, Ali Jetishi, Tush Krasniqi, Hill Gojani, Tush Deda, Gjon Delhysa, Franush Gomilla, Ace Tupeci, Mikush Kaqinari, Zef Vica, Tef Bucaj, Krist Tuna, Gjergj Canaj, Alajdin Kantargji, Fran Gojani, Lajde Laqi, Bashkim Tejeci, Xhafer Lushaj, Faik Bajusuf Kastrati.Mja, Ajten Emrush, Neshat Krasniqi, Hysin Koro, Besire Toqilla, Zyrije Milaimi, Gani Jetishi, Remzije Qollaku, Barije Kepa, Mark Nua, Memet Lika, Hysnije Shala, Sevgjan Kuksi, Severgjan Purova, Shefkat Nasufi, Gyler Kahramani, Izet Kovaqi, Jusuf Pupe, Rrok Shiroka, Zejxhane Celina, Dijana Miredita, Masar Salla, Afrim Gashi, Fikret Mujollari, Besim Shijaku, Albert Shishko, Bedridin Gymyshell, Ylber Gjini, Abdulla Pasuli, Ramiz Kuksi, Zejgjane Celina.

Zeja e filigranit konsiderohet të jetë një prej zejeve më të njohura të Prizrenit. Në vitin 1922 në Prizren identifikoheshin mbi 35 dyqane. Filigranistët prizrenas prodhimet e tyre i eksportonin në panairin ndërkombëtar të Parisit, ku eksponatet e tyre zgjuan interesim jo vetëm tek blerësit francez, por edhe te disa tregtarë nga Tunizi.

Pas Luftës II Botërore në Prizren u themelua kooperativa e argjendarëve ‘’Filigrani’’, ku u punësuan që të gjithë krijuesit aktiv dhe me përvojë në këtë zeje. Iniciativa për themelimin e kooperativës nisi në mesin e vitit 1946, me participimin e 81 kryemjeshtërve argjendpunues, ndërsa puna filloi më 1 janar 1947. Kooperativa u regjistrua në Lidhjen e Kooperativave Zejtare në Beograd më 13 janar 1947, me emërtimin Kooperativa Përpunuese e Kujunxhinjëve. Kryetar i parë i kooperativës ishte Jak Mjeda, ndërsa sekretar dhe arkëtar Cin Mjeda. Hapësirat e para punuese të saj ishin në Hotel ‘’Union’’. Më vonë kooperativa ndryshoi emër nga ‘’Filigran – Kooperativa Filigrane e Artizanatit të Prizrenit’’ në ndërmarjen për prodhimin e stolive prej arit dhe argjendit ‘’Filigran’’.

Gjatë veprimtarisë së saj, kooperativa shënoi rritje të kontribuesve aktiv. Nga 11 krijues dhe iniciatorë për themelimin e kooperativës, numri i zanatçinjëve gjatë vitit të parë shënoi rritje në 81, ndërsa deri në vitin e tretë ky numër u rrit në 153. Vlen të veçohet fakti se në kuadër të kësaj ndërmarrësie, për herë të parë me këtë zeje filluan të merren edhe gratë shqiptare.

Ndërmarrja funksiononte e ndarë në sektorë prodhimi me lëndë të parë ari dhe argjendi, ndërsa secili mjeshtër udhëhiqte një lëmi të caktuar prodhimi, i ndihmuar nga një zëvendës mjeshtër dhe tre punëtorë. Lëmitë e prodhimit varionin nga prodhimi i stolive, vathëve, broshëve, qaforeve etj., e deri në prodhimin e suvenireve me përmasa më të mëdha.

Mjeshtrit e angazhuar në këtë ndërmarrje shquheshin për arritjen e kulminacionit të krijimtarisë së tyre përmes prodhimit të veprave monumentale me vlera të posaçme, kryesisht me qëllim të dhurimit të tyre tek burreshtetasit e kohës. Më 1979, 7 kryemjeshtër dhe 3 ndihmës të tyre punuan me teknikën e derdhjes së filigranit një tavolinë pune e cila përmbante 15 kg argjend. Ekipi i ndërmarrjes ‘’Filigrani’’ punoi poashtu maketën e përmendores kulturo – historike ‘’Xhamia e Sofi Sinan Pashës në Prizren’’ të cilën e punuan 3 kryemjeshtër dhe 2 ndihmës të tyre, duke derdhur dhe filigranuar 2 kg argjend. Kjo vepër iu dhurua kryetarit të atëhershëm të Egjiptit, Gamal Abdel Naser me rastin e vizitës së tij në territoret e Jugosllavisë së atëhershme. Përpos veprave të tjera të cilat iu dhanë për dedikim delegacioneve shtetërore të kohës, u punuan edhe tri kuti prej ari, me teknikë derdhjeje dhe filigrani, të cilat iu dhuruan mbretit te Etiopisë, Haile Selas.

Kushtet politike, sociale dhe ekonomike në vend pas viteve të nëntëdhjeta bënë që shumica e filigranistëve aktiv të qytetit të Prizrenit të shpërnguleshin në vendet fqinje, në kërkim të një ambienti më të mirë punues. Mjeshtrit më të shquar u vendosën përgjatë bregdetit Adriatik, me theks në viset turistike të Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi. Këto dyndje ndikuan në rënien e zhvillimit të zejes së filigranit në qytetin e Prizrenit, por në anën tjetër shënuan përhapjen e teknikave punuese dhe njohjen e vlerave të tyre në nivel ndërkombëtar.